Një ndër shkollat me numrin më të madh të votuesve me të drejtë vote është shkolla fillore “Arkitekt Sinani” në komunën e Mitrovicës. Mbi 12.000 votues është numri i tyre që pritet të votojnë gjatë ditës së sotme.
Menaxher i kësaj shkolle, Sami Rama tregoi për KosovaPress se deri më tani nuk ka parregullsi dhe gjithçka sipas tij po shkon mirë.
“Ecuria e procesit zgjedhor është duke shkuar normal pa telashe. Procesi zgjedhor ka filluar me kohë, materiali ka ardhur me kohë dhe të gjithë përfaqësuesit kanë qenë me kohë në vendin e vet. Për momentin numri i qytetarëve është duke u rritur dhe pritet të votojnë me numër më të madh. Deri më tash nuk ka pasur asnjë problem”, ka deklaruar ai për KosovaPress.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, raporton KosovaPress.