Viktimat e dhunës seksuale të luftës, në pritje të Kushtetueses për Ligjin për sigurimin shëndetësor

Rreth 95 për qind e grave dhe burrave të dhunuar seksualisht në luftë po jetojnë me pasoja të rënda shëndetësore. Krimi që kanë përjetuar ka lënë plagë të pashlyera në shoqëri, thotë drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Ajo thekson se shërbimet shëndetësore janë të domosdoshme për këtë grup të ndjeshëm shoqëror.

Në dhjetor të vitit të kaluar u miratua Ligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, i cili ndër të tjera mund të ofrojë edhe sigurimin shëndetësor pa asnjë kushtëzim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton KosovaPress.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar në Kushtetuese 16 ligje, në mesin e tyre edhe këtë.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti thotë se një gjë e tillë nuk është mirëpritur nga gratë e burrat e dhunuar seksualisht gjatë luftës.

Të domosdoshme i konsideron Rushiti shërbimet shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale.

Në një deklaratë me shkrim, Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se edhe në raportin lidhur me respektimin e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale ka rekomanduar që kjo kategori të gëzojë të drejtat.

“Avokati i popullit në këtë raport ka konstatuar se me kornizën ligjore aktuale në fuqi nuk parashihet ofrimi i shërbimeve psiko-sociale për të mbijetuarat/it e dhunës seksuale, po ashtu nuk ofrohen shërbime shëndetësore pa kompensim në nivelin primar sekondar dhe terciar në institucione publike shëndetësore për këtë kategori të qytetarëve, prandaj ka rekomanduar Qeverinë në ndërmarrjen e veprimeve në drejtim të plotësim-ndryshimit të Ligjit nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, në mënyrë që këto të drejta të garantohen edhe për të mbijetuarat/it”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit, përcjell KosovaPress.


Në një përgjigje të Gjykatës Kushtetuese për KosovaPress bëhet e ditur se ky ligj është në procedurë të shqyrtimit.

“Ligji Nr. 08/L-320 për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor është pranuar në Gjykatën Kushtetuese më 13 dhjetor 2024 dhe është regjistruar me numër të rastit KO254/24. Aktualisht, kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit dhe sapo të merret vendimi Gjykata do të njoftojë me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinionin”, thuhet në këtë përgjigje.

Edhe aktivistja nga organizata joqeveritare “Fourth Wave”, Nerimane Ferizi e konsideron urgjente nevojën për përkrahje të kësaj kategorie të luftës.

Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.

Deri tani, vetëm Zoran Vukotiq është dënuar për dhunim seksual gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Në Kosovë, që prej vitit 2014 ekziston një ligj për njohjen e statusit të tyre por deri tani vetëm mbi 2 mijë e kanë marrë atë.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video