Lëvizja Vetëvendosje pret hapa pozitivë për largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, pasi tanimë s’ka asnjë arsye që ato të jenë valide.
Sipas kësaj partie, BE-ja dhe SHBA-ja nuk mund t’i kërkojnë Kosovës t’i përmbushë obligimet në dialog, derisa Serbia vazhdimisht shkelë Marrëveshjen Bazë të Brukselit.
Përkitazi me këtë, deklarojnë se Qeveria mund të dërgojë një draft-statut të asociacionit në Kushtetuese vetëm nëse hartohet nga institucionet kosovare.
Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetarja e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu thotë për KosovaPress se pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës në fillim të vitit 2025.
Duke folur për dialogun, deputetja e mazhorancës thotë se Serbia po e përdorë procesin si kamuflim të sulmeve terroriste në veri. Ajo shton se dialogu është i rëndësishëm, por BE fillimisht duhet të kërkojë llogari ndaj Serbisë për sulmet terroriste në Banjska dhe kanalin e Ibër-Lepencit.
Sa i përket presionit ndërkombëtar që Qeveria të dërgojë draft-statutin e asociacionit të hartuar nga BE-ja në Kushtetuese, ajo thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Sipas saj, Qeveria mund të dërgojë një draft-statut të asociacionit në Kushtetuese vetëm nëse hartohet nga institucionet kosovare.
Krahas kësaj, ajo shton se qeveria ka shtrirë sovranitetin në veri, duke mbyllur strukturat paralele dhe luftuar grupet kriminale në atë pjesë.
BE ka miratuar disa konkluza në mbledhjen e ministrave më 17 dhjetor, ku mes tjerash thuhet se gradualisht do t’i heqin masat paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për uljen e tensioneve në veri.