Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pritur sot në takim Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ku u dakordua vazhdimi i procesit të aplikimit edhe për dy vjet.
Në takim u bisedua për punën dhe angazhimin e Komisionit qeveritar dhe organizatave të autorizuara në një proces shumë të rëndësishëm e të ndjeshëm për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarave e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. U theksua nevoja për inkurajimin e mëtejshëm të të mbijetuarave për të aplikuar për njohjen e statusit të tyre, raporton KosovaPress.
Në takim u tha se një diskutim më i gjerë publik mbi këtë çështje mund të jetë i nevojshëm, duke synuar një proces sa më të hapur dhe gjithëpërfshirës në trajtimin e nevojave dhe të drejtave të të mbijetuarave/ve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mënyrat për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Komisionit, organizatave të autorizuara KRCT, Medica Kosova, Medica Gjakovë dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Drenas, si dhe me zyrat komunale të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës, thuhet në komunikatë.