Verifikimi i kandidatëve për deputetë, KQZ tregon për procesin e certifikimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është planifikuar të bëhet më 7 janar të vitit të ardhshëm.

Në një konferencë për media, zëdhënësi në KQZ, Valmir Elezi tha se gjatë periudhës shtator e deri më 11 dhjetor të këtij viti kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Elezi potencoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë.


Ai tregoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë aplikuar secila me nga 110 kandidatë për deputetë. Po ashtu edhe koaliciconi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma – Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore, Forumi Intelektual – E – 30 kanë aplikuar me nga 110 kandidatë. Ndërkaq, Lista Serbe me 48 kandidatë.

Ndër të tjera, Elezi tha se KQZ do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.

Mbrëmjen e së mërkurës është përmbyllur periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Lexo edhe

Video