Ka ndërruar jetë Valbona Mehmeti, zyrtarja financiare e Federatës së Hendbollit të Kosovës. E ndjera ishte pjesë e rëndësishme e administratës së kësaj federate për dy dekada e gjysmë, përkatësisht që nga viti 2000.
Kontributi i saj për mbarëvajtjen e punëve në këtë federatë, e rrjedhimisht edhe në hendbollin kosovar ishte i çmueshëm. Për shumë vjet e ndjera është përballur me një sëmundje të rëndë, përcjellë KosovaPress.
“Me pikëllim pritëm lajmin për ndarjen nga jeta të koleges sonë të dashur, Valbona Mehmeti. Ajo ka shërbyer për Federatën tonë për periudhë të gjatë, ndërsa kontributi i saj është i tejçmuar në familjen kosovare të hendbollit. Në emër të komunitetit kosovar të hendbollit dhe sidomos të stafit të FHK-së, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Mehmeti”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të presidentit të FHK-së, Edin Kolgeci.
Varrimi i së ndjerës bëhet sot nga ora 14:45 në varrezat e qytetit në Prishtinë.