Tridhjetë nga 59 personat që humbën jetën nga zjarri që shpërtheu në një lokal nate në Koçan u varrosën në këtë qytet në lindje të Maqedonisë së Veriut.
Të afërm që humbën të dashurit e tyre nga zjarri dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në ceremoninë mortore të mbajtur në Varrezën e Qytetit në Koçan, raporton Anadolu.
Me lot në sy, pjesëmarrësit ndezën edhe qirinj dhe vendosën lule për 30 viktimat që u varrosën.
Ndërkohë, nga 29 personat e tjerë që humbën jetën nga zjarri, pesë tashmë janë varrosur në Shtip, ndërsa ceremonitë mortore do të vazhdojë në qytete të ndryshme të vendit për viktimat e mbetura, transmeton KosovaPress.
Në orët e para të 16 marsit, në një diskotekë në Koçan shpërtheu një zjarr i tmerrshëm, ku 59 persona humbën jetën dhe mbi 170 u lënduan.
Siç njoftohet, aktualisht, hetimet e nisura nga autoritetet përfshijnë 26 persona.
Lokali në fjalë rezulton të ketë vepruar jashtë rregullores dhe nuk ka pasur licencë pune, përcjellë KosovaPress.
Maqedonia e Veriut ka shpallur shtatë ditë zie pas tragjedisë.