Varka që krijon hidrogjen ndërsa lundron

Varka që krijon hidrogjen ndërsa lundron

Energjia e erës ka pësuar një rritje të dukshme në vitet e fundit dhe tani përbën rreth 8 për qind të prodhimit të energjisë në botë. Deri në fund të dekadës, ajo do të jetë burimi i dytë më i madh i energjisë të ripërtërishme pas diellit, duke kaluar energjinë hidraulike, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Turbinat e erës janë më efikase se panelet diellorë — ato shfrytëzojnë, mesatarisht, rreth 50 për qind të energjisë që kalon përmes tyre, krahasuar me rreth 20 për qind për panelet diellorë — por janë më të varura nga lokacioni. Turbinat detare përfitojnë nga erërat më të forta dhe janë më efikase se ato tokësore, por gjithashtu janë më të shtrenjta për t’u ndërtuar dhe mbajtur, shkruan CNN.


Në Mbretërinë e Bashkuar, ku prodhimi i energjisë nga era ishte burimi më i madh i energjisë për herë të parë në vitin 2024, një biznes i ri i quajtur Drift po synon të nxjerrë edhe më shumë energji nga era detare duke e ndjekur atë — me një jaht garash. “Ne prodhojmë energji të ripërtërishme në oqean duke përdorur varkat me vela dhe e dërgojmë atë në porte në mbarë botën”, thotë themeluesi dhe CEO i Drift, Ben Medland. Drift ka ndërtuar dy prototipe, pak më shumë se 5 metra të gjatë dhe i ka demonstruar ato për herë të parë në vitin 2022 në ligën Sail GP në portin e Plymouth në MB. Këto katamarane me performancë të lartë janë të pajisura me hidrofoila që i ngrenë mbi ujë, si dhe një turbinë nënujore, e cila duket si një helikopter, por funksionon në mënyrë të kundërt, duke kapur energjinë ndërsa anija kalon përmes ujit. Kjo energji e ripërtërishme kalon në një pajisje të quajtur elektrolizues, e cila e kthen ujin e detit në gaz hidrogjeni dhe e ruan atë në bord, gati për t’u shkarkuar. Ajo mund të përdoret më pas si një karburant i pastër për të fuqizuar procese industriale ose për makina, aeroplanë dhe anije.

“Kjo është një klasë e parë e energjisë të ripërtërishme mobile”, vazhdon Medland. “Ajo nuk ka nevojë për infrastrukturë rrjeti. Nuk ka nevojë për telat nën ujë. Nuk ka nevojë për themele ose ankorime ose asgjë të tillë. Këto janë, turbinat ‘e lira’  të erës”.

Video