Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal tha se një “version përfundimtar faktik” i marrëveshjes për mineralet është arritur gjatë dy javëve të bisedimeve intensive me SHBA-në.
Ai tha se marrëveshja paraprake parashikon krijimin e një “fondi investimesh” për rindërtimin e Ukrainës, që do të menaxhohet nga Kiev dhe Uashington në “kushte të barabarta”.
Shmyhal theksoi se SHBA mbështet përpjekjet e Ukrainës për të marrë garanci sigurie, shkruan BBC.
Kryeministri shtoi se as presidenti Volodymyr Zelensky dhe as qeveria ukrainase nuk do të nënshkruajnë marrëveshjen pa garanci sigurie për Ukrainën.
Ai tha gjithashtu se Ukraina dëshiron që këto garanci të bazohen në “planin e paqes” të Zelenskyt nga viti i kaluar, që parashikon “anëtarësimin në NATO ose garanci të tjera të forta sigurie”.
Shmyhal tha se qeveria ukrainase do të shqyrtojë tekstin e marrëveshjes më vonë gjatë ditës.
Ai shtoi se kontributi i Ukrainës për fondin do të jetë 50 për qind e të ardhurave nga “monetizimi i pasurive natyrore”, dhe se SHBA do të bëjë kontribute përkatëse.
Ndërkohë Zelensky tha më herët në një konferencë për shtyp theksoi se çështja kryesore për të është vazhdimi i ndihmës amerikane për Ukrainën.
Ai tha se marrëveshja paraprake për mineralet “është vetëm një fillim, një kornizë, mund të jetë një sukses i madh”.
“Suksesi do të varet nga biseda jonë me presidentin Trump”, shtoi Zelensky.
Ai gjithashtu tha se do të kërkojë garanci sigurie për Ukrainën në lidhje me çdo marrëveshje bilaterale të ardhshme.
SHBA ka qenë një furnizues kyç i ndihmës ushtarake për Ukrainën gjatë presidencës së Biden, por presidenti Donald Trump ka sugjeruar një rishikim të ndihmës.
https://kosovapress.com/trump-konfirmon-viziten-e-zelenskyt-ne-shba-per-marreveshjen-e-mineraleve