Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vazhduar sulmet ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke e quajtur atë një “diktator” dhe thelluar ndarjen mes dy liderëve.
Komentet e tij erdhën pas deklaratës së Zelenskyt se presidenti amerikan po jeton në një “hapësirë dezinformimi” të udhëhequr nga Moska.
Trump, në një takim investimesh në Florida, tha se Zelensky ishte i aftë vetëm të manipulonte ish presidentin e SHBA-së, Joe Biden.
Përdorimi i fjalës “diktator” u përcoll me kritika nga liderët evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer, të cilët mbështetën legjitimitetin demokratik të Zelensky.
Zelensky, i cili ka pezulluar zgjedhjet për shkak të ligjit të jashtëzakonshëm që ka shpallur Ukraina gjatë luftës, u takua me ambasadorin amerikan për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg. Ai e cilësoi si mbështetje të nevojshme bashkëpunimin me SHBA-në dhe Evropën për sigurimin e paqes.
Trump kritikoi gjithashtu Europën, duke thënë se lufta në Ukrainë ishte më e rëndësishme për këtë kontinent sesa për SHBA-në.
“Ne kemi një oqean të madh, të bukur që na ndan“, tha ai.
Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shprehu gatishmërinë për të takuar Trump-in, shkruan BBC News.
BE-ja njoftoi sanksione të reja ndaj Rusisë përfshirë ndalimin e mediave ruse dhe bankave të lidhura me sistemin ndërkombëtar të pagesave Swift.