Trump planifikon të flasë nesër me Putin për përfundimin e luftës në Ukrainë

Trump planifikon të flasë nesër me Putin për përfundimin e luftës në Ukrainë

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se ka në plan të flasë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, nesër (të martën) për të diskutuar për mbylljen e luftës në Ukrainë, raportuan mediat amerikane.

“Do të flas me Presidentin Putin të martën. Ne punuam shumë gjatë fundjavës”, i tha Trump gazetarëve në Air Force One gjatë një fluturimi nate nga Florida në zonën e Uashingtonit.

“Ne duam të shohim nëse mund ta përfundojmë këtë luftë. Ndoshta mund ta bëjmë, ndoshta jo, por mendoj se kemi një mundësi shumë të mirë”, shtoi miliarderi. “Do të flasim për tokën. Do të flasim për centralet elektrike”, tha Trump kur u pyet për lëshime. “Mendoj se kemi diskutuar tashmë shumë nga kjo nga të dyja palët, Ukraina dhe Rusia. Po e diskutojmë atë, duke ndarë disa pasuri”.


“Do të shohim nëse kemi ndonjë gjë për të njoftuar, ndoshta deri të martën (nesër, shënim)”, shtoi presidenti amerikan, sipas CNN.

Më vonë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se një bisedë telefonike ndërmjet Vladimir Putin dhe Donald Trump po përgatitet për nesër, raportoi agjencia Ria Novosti.

Zëdhënësi nuk dha detaje mbi temat që do të diskutojnë presidentët amerikanë dhe rusë, pasi Trump, i cili e njoftoi fillimisht bisedën telefonike, tha se dy liderët do të flasin “për tokën” dhe “për centralet elektrike”, transmeton KosovaPress.

“Biseda vërtet po përgatitet”, tha Peskov, “por sipas mendimit tonë, natyrisht, një bisedë ndërmjet dy presidentëve nuk është subjekt i ndonjë diskutimi të rëndësishëm a priori. Prandaj, ne nuk do ta bëjmë këtë”.

Lexo edhe

Video