Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump konfirmoi se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky do jetë të premten në Shtëpinë e Bardhë, për nënshkrimin e një marrëveshje për burimet natyrore dhe rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.
“Presidenti Zelensky do të vijë të premten. Tani është e konfirmuar dhe ne do të nënshkruajmë një marrëveshje”, tha Trump, raporton CNN.
“Ne kemi qenë në gjendje të bëjmë një marrëveshje ku do të kthejmë paratë tona dhe do të marrim shumë para në të ardhmen, dhe unë mendoj se kjo është e përshtatshme”, shtoi ai.
Trump tha se administrata e tij është “e lumtur” për marrëveshjen, e cila mund t’i japë SHBA-së qasje në mineralet e rralla të tokës të Ukrainës, si pjesë e negociatave më të gjera për t’i dhënë fund pushtimit të Rusisë, si dhe përfshirjen e SHBA-së në një fond rindërtimi për Ukrainën.