Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin, me të cilin ka biseduar gjatë Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, si dhe për inteligjencën artificiale.
Në një postim në Truth Social, ai tha se kishte rënë dakord me Putin që negociatat për Ukrainën të fillonin menjëherë.
Trump shtoi se ai dhe Putin diskutuan për faktin se SHBA dhe Rusia kishin bashkëpunuar me sukses gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shprehën pritshmërinë e tyre për “përfitimet e mëdha që një ditë do të realizojnë duke punuar së bashku”.
Të dy ranë dakord, thotë Trump, se donin të “ndalonin miliona vdekje që po ndodhin në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës”.
“Ne ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitat nga vendet tona. Ne gjithashtu ramë dakord që ekipet tona të fillojnë negociatat menjëherë dhe do të fillojmë duke telefonuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për ta informuar atë për bisedën, të cilën do ta bëj tani.”
Trump shton se ka ngarkuar një ekip të udhëhequr nga sekretari i Shtetit Marco Rubio për të udhëhequr negociatat.
“Dua të falënderoj presidentin Putin për kohën dhe përpjekjen e tij gjatë kësaj telefonate, si dhe për lirimin e djeshëm të Marc Fogel, një njeriu të mrekullueshëm të cilin personalisht e mirëprita në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë. Besoj se kjo përpjekje do të çojë në një përfundim të suksesshëm, shpresojmë së shpejti”, përfundoi Trump.
Zëdhënësi i presidentit rus Dmitry Peskov ka konfirmuar bisedën telefonike mes liderëve të dy vendeve në një konferencë.
“Presidenti Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump përfunduan së fundmi një bisedë telefonike. Ishte një telefonatë shumë e gjatë, që zgjati gati një orë e gjysmë”, tha ai.
Trump mbrojti një ndërprerje të shpejtë të armiqësive dhe një zgjidhje paqësore të problemit. Putin, nga ana e tij, përmendi nevojën për të adresuar shkaqet rrënjësore të konfliktit dhe ra dakord me Trump se një zgjidhje afatgjatë mund të arrihet përmes negociatave të paqes, raportuan mediat ruse.
Ata shtojnë se Trump ka përshkruar vazhdimisht planet e tij për të biseduar me presidentin rus gjatë javëve të fundit dhe se udhëheqësi amerikan i ka kushtuar vëmendje të madhe konfliktit në Ukrainë dhe ka shprehur dëshirën për të ndihmuar në përfundimin e tij.
Kjo ishte biseda e parë mes liderëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në tri vjet. Presidenti rus foli për herë të fundit me paraardhësin e Trump, Joe Biden, në të njëjtën ditë – 12 shkurt 2022.