Tromp: Serbia do të sillet ndryshe kur Kosova do ta padisë për gjenocid

Pas padisë për gjenocid, Serbia do të sillet ndryshe në arenën politike, ka thënë hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp.

Ani pse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ajo tha se mund të padisë Serbisë nëpërmjet një vendi tjetër.

Kështu u shpreh ajo në konferencën ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Paditë për gjenocid ngrihen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – institucionit që vendos për mosmarrëveshjet në mes të shteteve.

Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia i kanë humbur rastet për gjenocid. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati konstatuar se Serbia është përgjegjëse për shkeljen e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të gjenocidit në Srebrenicë, por jo edhe për kryerje të gjenocidit, për çka Bosnja kishte ngritur padi.


Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, tha se nga këto dy raste Kosova duhet të mësojë dhe se është e rëndësishme që të paditet Serbia për gjenocid.

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi tha se arkivat e gjykimeve janë dëshmi të vlefshme për shkrimin e historisë.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci thotë se institucionet vendore është dashur të fuqizohen për adresimin e krimeve të luftës.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti foli për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe sfidat për drejtësi.

Në luftën e viteve 1998-1999, në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë civilë, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e burra, mbi 6 mijë persona janë zhdukur – prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona janë zhvendosur.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video