Tragjedia në Koçan, jep dorëheqje kryetari i komunës

Tragjedia në Koçan, jep dorëheqje kryetari i komunës

Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga detyra pas aksidentit tragjik në Koçan ku humbën jetën 59 persona.

“Kjo humbje është e madhe. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Unë i njihja shumicën prej tyre, i njihja familjet e tyre dhe disa prej tyre ishin miq të familjes”, ka thënë ai.

“Tronditja dhe thyerja e zemrës që ndjej do të zgjasë gjithë jetën time. Kjo tragjedi e ka lënë në errësirë Koçanin dhe Maqedoninë, dhe boshllëku që ka mbetur është i padurueshëm”, ka shkruar Papazov në Facebook.

Ai ka kërkuar nga institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke shtuar se është plotësisht në dispozicion të institucioneve.


Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm në Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN, përcjell KosovaPress.

Lexo edhe

Video