Të shtatë të lënduarit nga zjarri në diskotekën e Koçanit, të cilët dje janë transportuar për trajtim në Spanjë, janë në gjendje stabile.
Kështu njoftuan për MIA nga Ambasada e Spanjës në Shkup, raporton ALSAT, përcjell KosovaPress.
“Pacientët kanë mbërritur dje, janë kryer kontrollet fillestare mjekësore, janë në gjendje stabile dhe tashmë ka nisur procesi i trajtimit dhe shërimit në spitalet e lartpërmendura”, njofton ambasada.
Po ashtu, ambasada ndan informacionin se mbreti i Spanjës Felipe VI, i ka dërguar telegram ngushëllimi presidentes Gordana Silanovska-Davkova me rastin e tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona.
Sipas raportit të Institutit të Mjekësisë ligjore, arsyeja e vdekjes është ngulfatja me gaz monoksid karboni, i cili është liruar nga djegia e materialeve të objektit.
Lidhur me tragjedinë e Koçanit, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha sot se policia në bashkëpunim me prokurorinë do të hetojë çdo detaj.
“Hetimi formalisht është hapur dje. Gjatë ditës së kaluar gjithashtu dorëzuam kallëzim penal kundër një pjese të të dyshuarve në procedurë të posaçme në përputhje me kompetencat të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar sepse këta persona janë zyrtarë policorë dhe për ta hetimi ka filluar para dy ditëve, për të tjerët hetimi filloi dje. Ky është vetëm fillimi i asaj që vijon. Këtu ka njerëz të përgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, por duhet të respektojmë drejtësi sipas proceseve. Duhet hetimin ta zbatojnë deri në themel ashtu siç i ka hije një shteti i cili di të përgjigjet si duhet në këtë mënyrë”, tha ai.
Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë kontrollet në diskoteka dhe kabare në gjithë vendin. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, tha se nga 23 objekte të licencuara, 13 prej tyre nuk i plotësojnë kushtet minimale dhe po përgatiten vendime për heqjen e licencës.
Një protestë është thirrur për ditën e hënë nga Shoqata “Kush e ka radhën”, ku do të kërkojnë drejtësi për viktimat në Koçan.
Tri ditë më parë, mijëra qytetarë u mblodhën në Sheshin Maqedonia, për të nderuar me 16 minuta heshtjeje viktimat. Heshtja zgjati 16 minuta duke simbolizuar 16 marsin kur dhe ndodhi tragjedia. Përveç Shkupit, tubime të ngjashme pa fjalime pati edhe në disa qytete në Maqedoninë e Veriut.