Pesë pacientët e fundit të lënduar në tragjedinë në Koçan dërgohen jashtë shtetit, përkatësisht në Suedi, ndërsa numri i përgjithshëm i pacientëve që po trajtohen aktualisht jashtë shtetit është 101, shkruan Alsat.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari zbardhi detaje rreth gjendjes shëndetësore të pacientëve brenda dhe jashtë shtetit.
Ai tha se të lënduarit janë në gjendje të qëndrueshme.
“101 pacientë janë jashtë shtetit, mbas mbledhjes së Shtabit të Krizave në mëngjes konstatuam se të gjithë pacientët fatmirësisht janë në gjendje relativisht stabile, uroj dhe shpresoj që dalëngadalë disa pacientë të fillojmë ti lëshojmë për në shtëpi, sot tre apo katër pacientë do të lëshohen në shtëpi. Transferimi i fundit do të bëhet sot, vetëm në Suedi 5 pacientë dhe mbas asaj nuk kemi më transferime tjera”, tha Taravari.
Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN, përcjellë KosovaPress.