Tragjedi në Maqedoni të Veriut, bie zjarr në diskotekë, 51 të vdekur dhe mbi 100 të lënduar

Tragjedi në Maqedoni të Veriut, bie zjarr në diskotekë, 51 të vdekur dhe mbi 100 të lënduar

Një zjarr ka rënë mbrëmë në një diskotekë në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku si pasojë kanë humbur jetën 51 persona dhe mbi 100 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Nga MPB bëhet e ditur se janë arrestuar disa persona që kanë pasur lidhje me organizimin e kësaj feste private.

Po ashtu, bëhet me dije që për shkak të viktimave të shumta, tashmë në Shkup janë anuluar të gjitha vizitat zyrtare. Të lënduarit sipas ministrit të brendshëm, Pançe Toshkovki janë dërguar për kurim në spitalin e Shtipit dhe në spitalet e Shkupit, shkruan Alsat.

“Zjarri ka shpërthyer nga mjetet piroteknike që janë përdorur në koncert. Për një periudhë të shkurtër kanë arritur edhe ekipe mjekësore edhe nga qytetet e tjera të afërta dhe helikopteri me te cilin janë bartur të plagosurit. Kanë humbur jetën 51 viktima, më tepër se 100 janë lënduar dhe janë dërguar nëpër spitale në Shtip dhe Shkup”, tha Toshkovski.


Toshkovski gjithashtu njoftoi se trupat e viktimave do të dërgohen në Shkup për obduksion. Ndërkohë që u shpreh i prerë se përgjegjësit e kësaj tragjedie, përfshi dhe organizatorët do të përballen me organet e drejtësisë, transmeton KosovaPress.

“Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Publike dhe me të gjitha organet tjera, po punojmë hap pas hapi për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie”, tha Toshkovski duke shtuar se të gjithë duhet të bartim përgjegjësi morale.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Publike e RMV-së, ka thënë se të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike Koçan janë në terren.

Nga Prokuroria, kanë thënë se tashmë po përcaktohet numri i viktimave dhe të plagosurve nga zjarri, transmeton KosovaPress .

“Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe prokurorët themelorë publikë të Prokurorisë Publike të Shkupit dhe Prokurorisë Publike të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë rrugës për në Koçan. Prokuroria e Koçanit do të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e prokurorisë për veprime të menjëhershme”, thonë nga Prokuroria.

Lexo edhe

Video