Tom Dodaj dënohet me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për shitjen e armës

Tom Dodaj dënohet me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për shitjen e armës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë Tom Dodaj, i cili është i akuzuari i katër lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt. Dodaj akuzohej se ka shitur armën me të cilën është vrarë tani më e ndjera.

Ndërsa, vetë Tom Dodaj në seancën e sotme të shqyrtimit fillestar për këtë rast e pranoi fajësinë.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku tha se i akuzuari Tom Dodaj shpallet fajtor për veprën penale shitje e armës me të cilën është kryer edhe vrasja e rëndë e të ndjerës, Liridona Ademajt.

Avokati i Tom Dodaj, Agron Kuçi dënimin e shqiptuar ndaj klientit të tij e konsideroi të lartë dhe sipas tij gjykata nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese.


Kuçi paralajmëroi edhe ankimin në instanca më të larta për lartësinë e këtij dënimi.

Në seancën e sotme të shqyrtimit fillestar për vrasjen e Liridona Ademajt i akuzuari, Naim Murseli është deklaruar plotësisht i pafajshëm, Granit Plava zgjodhi të mbrohej në heshtje, ndërsa Kushtrim Kokalla u shpreh se nuk do të deklarohet rreth fajësisë pa u konsultua me avokatin e tij, kërkesë të cilën në seancë ia mohoi kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku me arsyetimin se kanë pasur kohë të mjaftueshme për takime dhe konsultime.

Shqyrtimi fillestar për vrasjen e Liridona Ademajt dështoi më 27 janar pasi mbrojtja e Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt deklaruan se nuk janë pajisur me shkresat e lëndës.

Për vrasjen e Liridona Ademajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar ngriti aktakuzë ndaj katër personave.

Lexo edhe

Video