The Sun: Anglia fillon epokën e re Tuchel kundër Shqipërisë

The Sun: Anglia fillon epokën e re Tuchel kundër Shqipërisë

Ndeshjet evropiane për Kupën e Botës 2026 nisin sonte me Anglinë që nis fushatën e saj kundër Shqipërisë në stadiumin “Wembley”, shkruan britanikja “The Sun”.

Është ndeshja e parë e Anglisë nën drejtimin e trajnerit të ri Thomas Tuchel dhe ai pritet të hapë llogarinë e tij me pikët maksimale ndaj skuadrës së 65-të të FIFA-s.

Trajneri gjerman, 51-vjeç, sigurisht që mund të rrisë moralin e ekipit, pas një reagimi të vakët ndaj njoftimit të tij për përbërjen e kombëtares angleze.

Tuchel ka futur në ekip ish-kapitenin e Liverpool-it, Jordan Henderson, i cili është 35 vjeç, ndërsa 34-vjeçari Kyle Walker gjithashtu zuri vendin përpara talenteve të reja si Adam Wharton, Liam Delap dhe Jarrad Branthwaite.


Skuadra sugjeron që mandati 18-mujor i Tuchel do të përqendrohet në fitimin e Kupës së Botës 2026.

Por, kjo nis me kualifikimin për edicionin e 23-të të turneut, i cili është i pari me 48 ekipe dhe tre vende pritëse: Kanada, Meksikë dhe SHBA.

“Tre Luanët” nuk kanë munguar në një Botëror që nga viti 1994, i cili u mbajt në SHBA – dhe as nuk e kishin menduar se do të ishin në një grup të tillë të lehtë me Shqipërinë, Andorën, Letoninë dhe Serbinë.

Në renditje, Anglia është 61 vende mbi Shqipërinë, e cila nuk ka fituar kurrë një ndeshje kualifikuese kundër një ekipi të renditur në dhjetëshen e parë të FIFA-s.

Ajo i ka humbur të gjashtë takimet kundër “Tre Luanëve” me një rezultat të përgjithshëm 19-1, me më të fundit humbje 5-0 në vitin 2021 gjatë kualifikimeve të Kupës së Botës.

Lexo edhe

Video