Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para se të nisej sërish për në Hagë, është vizituar nga familjarët e tij në ambientet e EULEX-it.
Ishin tre vëllezërit e tij të cilët kaluan disa momente me Thaçin, ndërkohë, pas tyre është parë teksa hynte edhe bashkëshortja e ish-presidentit Thaçi.
Ndërkohë, para EULEX-it janë mbledhur qytetarë të cilët po mbajnë në duar pankarta të ndryshme në shenjë mbështetjeje për ish-presidentin, raporton KosovaPress.
Thaçi dje ka qëndruar në vendlindjen e tij në Burojë të Skenderajt, ku ka bërë homazhe të varri i babait të tij, si dhe ka qëndruar për disa orë në shtëpinë e tij, ku është takuar me nënën dhe bashkëshorten e tij.
Gjykata Speciale nuk i dha leje Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të vet, të martën më 18 mars.
Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor, nën akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
/KosovaPress/