Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi sot se sa më shumë të vazhdojë mbajtja në paraburgim në Hagë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, “aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”.
Kryeministri Rama dau në rrjetet sociale mesazhin e të dërguarit të presidentit të SHAB-së, Donald Trump për misione të veçanta, Richard Grenell, i cili u shpreh se “presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë dhe jo pas hekurave në Hagë”.
“Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”, ka shkruar Rama në X, ndërsa ndan mesazhin e Grenell.
Ndërsa uroi 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Grenell u shpreh se ish-presidenti Hashim Thaçi po mbahet padrejtësisht në Hagë.
“Ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, ka shkruar Grenell në rrjetin social X.
Sipas tij, institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund asaj që ai e cilëson “padrejtësi”.
“Evropianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në pesë vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”, tha Grenell në X.
Absolutely! And the more it continues, the bigger the stain on the international justice body! pic.twitter.com/iLsFPBogW7
— Edi Rama (@ediramaal) February 17, 2025