Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është larguar nga QKUK-ja pasi ka vizituar babain e tij të sëmurë.
Nën shoqërimin e forcave të shumta të sigurisë, Thaçi doli nga objekti i Klinikës Interne pas rreth 4 orësh qëndrim.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai ndodhet në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Ndërkohë, i ishte refuzuar disa herë kërkesa për ta vizituar babain e tij të sëmurë.
Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi për KosovaPress se e kanë lejuar vizitën e Hasim Thaçit në Kosovë “për arsye humanitare” që i njëjti të vizitoi babain e tij që ndodhet në spital.
“Po, mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, tha një zëdhënës i gjykatës.