Telefonata Trump-Putin, BE reagon: Nuk ka vendim pa Ukrainën

Telefonata Trump-Putin, BE reagon: Nuk ka vendim pa Ukrainën

Krerët e diplomacisë spanjolle, gjermane dhe franceze deklaruan sot në Paris se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa Kievin dhe pa pjesëmarrjen e Evropës.

Reagimet erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se ka arritur marrëveshje me homologun e tij rus Vladimir Putin për fillimin e menjëhershëm të negociatave për Ukrainën.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot, paralajmëroi se nuk do të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë pa pjesëmarrjen e evropianëve.

“Të braktisësh Ukrainën, të detyrosh Ukrainën të kapitullojë do të nënkuptojë vendosjen definitive të ligjit të më të fortëve dhe dërgimin e një ftese për të gjithë despotët dhe tiranët e planetit për të sulmuar fqinjin e tyre pa u ndëshkuar plotësisht”, tha ai.

Trump: Kam bërë marrëveshje me Putin, negociatat për Ukrainën fillojnë menjëherë • KosovaPress


Ndërsa ministrja gjermane Annalena Baerbock dhe homologu spanjoll José Manuel Albares Bueno pohuan se asnjë vendim nuk mund të merret pa Ukrainën.

“Nuk ka asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën”, tha Baerbock, duke shtuar se Evropa duhet të mbetet e bashkuar.

“Ne po flasim për një vend sovran me një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Për më tepër, asgjë që prek sigurinë evropiane – dhe agresioni rus kundër Ukrainës kërcënon drejtpërdrejt sigurinë evropiane – nuk mund të vendoset pa Evropën. “Bota nuk është xhungël. Ne kemi një rend botëror të bazuar në Kartën e OKB-së që ka funksionuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore për të mirën e të gjithëve,” tha kreu i diplomacisë spanjolle.

Ministri polak Radoslaw Sikorski theksoi nevojën për të forcuar mbështetjen për Ukrainën dhe mbrojti për bashkëpunim të ngushtë transatlantik.

Deklarimet e ministrave vijnë përpara një takimi në Paris për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën, i cili bashkon Francën, Gjermaninë, Poloninë, Spanjën, Italinë, Britaninë e Madhe dhe Ukrainën. Takimi do të zhvillohet pasi Trump dhe Putin u dakorduan të nisin negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë menjëherë.

Lexo edhe

Video