Të gjithë në Prekaz, qytetarët e quajnë pikënisje të lirisë

Pikënisje e lirisë. Kështu e konsiderojnë Prekazin, qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare. Për çdo mars, ky fshat pret vizitorë të shumtë të cilët nderojnë heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe familjes së tij, shkruan KosovaPress.

Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit.

Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – manifestim që mbledh në Prekaz qytetarë, organizata e përfaqësues të institucioneve, shkruan KosovaPress.

Qytetarët të cilët bënë homazhe të mërkurën thanë se familja Jashari është ajo që e solli lirinë e Kosovës.

Në mesin e vizitorëve, ishte edhe Xhevahir Xhemshiti nga Vitia, i cili kishte qenë ushtar i Brigadës 138.

Xhemshiti, rrëfeu se ditën kur kishte filluar lufta në Drenicë, së bashku me familjen e tij, u nis që të ndihmonte familjen Jashari, por u ndaluan në Prishtinë nga disa persona, shkaku i rrezikshmërisë.

Është krenari dhe mërzi, për atë se çka ka ndodhur këtu, por tash ndihemi krenarë, që e gëzojmë këtë liri, falë këtyre jemi këtu. Këta janë pikënisja e gjithë lirisë”, tha Xhemshiti.


Ndërkaq, Iliri nga Çamëria, u shpreh për KosovaPress se është fat i madh në këtë shekull “kur po sulmohet nacionalizmi dhe patriotizmi” shqiptarët të kenë heronj të tillë që i kujtojnë.

Drenica dhe familja Jashari, sidomos për ne nga Çamëria është një inspirim shumë i madh shpirtëror. Është një ringjalle ose një lindje, e aspiratave tona kombëtare të katër vilajeteve. Ne epiriotët e Çamërisë, e kemi shumë për zemër Dardaninë, unë nuk mund t’i them dot Kosovë”, u shpreh ai, shkruan KosovaPress.

E anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Skenderaj, Agron Kajtazi, i cili kishte ardhur me anëtarë të organizatës, shtoi se këto tre data që duhet mbajtur mend janë mobilizimi, apo mbjellja e dashurisë për atdhe.

5,6 dhe 7 marsi është mobilizimi, apo ajo mbjellja e dashurisë për atdhe, rrokja e pushkës e shumë luftëtarëve gjithandej trojeve”, shtoi Kajtazi.

E Rexhep Alija nga Mitrovica tha se “në ketë tokë ka lindur liria e gjithë shqiptarisë”.

“Këtu ka lindur liria e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë. Dhimbja ekziston, por është edhe krenaria mbasi këtu lindi liria”, vijoi Alija.

Sulmit të marsit në familjen Jashari i kishte mbijetuar vajza e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila pa tmerrin derisa po i vriteshin anëtarët e familjes./KosovaPress

Lexo edhe

Video