Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka fituar edhe një mandat për deputete të Kosovës, ka reaguar lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke thënë se kjo është tallje me qytetarët dhe bizneset, pasi askund nuk mund të gjendet rryma më lirë se sa nga KESCO, pasi kjo e fundit e blen energjinë nga KEK-u shumë lirë dhe e shet me çmim të dyfishuar.
Ajo ka shkruar në Facebook se KEK-u, që është ndërmarrje publike ia shet KESCO-s energjinë me çmim 29.5 euro/MWh, ndërsa çmimi i energjisë në bursën HUPX për nesër asnjë orë nuk bie nën 100 euro/MWh, e ata që më së miri i dinë këto, po tallen me qytetarët sot e çdo ditë, raporton KosovaPress.
“E derisa ZRRE po tallet me qytetarët, qeveritarët nuk kanë nxjerrë asnjë zë për çështjen që do të prekë xhepin e secilit dhe do ta dëmtojë rëndë ekonominë e vendit tonë. Me të vërtetë është tallje me qytetarët deklarata e kryetarit të Bordit të ZRRE-së, sepse është pikërisht çmimi i energjisë elektrike ai me të cilin qytetarët dhe bizneset nuk po pajtohen. E kryetari i Bordit të ZRRE-së paska thënë: “Gjejeni rrymën vetë me lirë dhe blejeni”. Por, pyetja është: Ku mund të gjendet më lirë? KEK-u, që është ndërmarrje publike, ia shet energjinë KESCO-s për 29.5 euro/MWh, ndërsa ekziston një marrëveshje që e detyron KEK-un t’ia shesë të gjithë energjinë e prodhuar KESCO-s, e cila më pas na e shet neve me çmim tashmë të dyfishuar. Pra, këta po tallen me ju dhe me ne, sepse gjetja e energjisë elektrike më lirë sesa nga KESCO është e pamundur sepse asnjë nga operatorë privat të licenuar nga ZRRE-ja nuk mund të marrin energji elektrike nga KEK-u. Blerja nga operatorët privatë do të thotë blerje e energjisë së importuar, e cila në bursën HUPX kushton minimum 100 euro/MWh. Janë dy pyetje që kërkojnë përgjigje të menjëhershme: Për kë po punon Qeveria/ZRRE-ja? A po lulëzon mafia energjetike në Kosovë?”, ka shkruar ajo, duke shtuar se arsyeja pse s’po pajtohen me ngritjen e çmimi është pikërisht se KESCO e merr energjinë nga KEK-u, me çmim 29.5 euro/MWh.
/KosovaPress/