Sylvinho për sfidën ndaj Anglisë: Do të jetë e vështirë, por e këndshme

Sylvinho për sfidën ndaj Anglisë: Do të jetë e vështirë, por e këndshme

Shqipëria fillon fushatën e saj kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Anglisë në Wembley të premten.

Në një konferencë sot për media, trajneri Sylvinho tha se ndeshja do të jetë e vështirë pasi kuqezinjtë kanë përballë njërin nga ekipet përfaqësuese më të forta në botë, por ai shtoi se do të vendosin 11-shen më të mirë dhe do të futen në fushë me ambicie maksimale.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por edhe shumë e bukur. Po flasim për një nga kombëtaret më të mira në botë dhe do luajmë në një nga stadiumet më të bukura në botë. Fakti që kemi shumë pak kohë për t’u përgatitur do të na e vështirësojë pak punën, por ky nuk mund të jetë justifikim për ne. Është ndeshja e parë, është sfiduese, është e vështirë, por të paktën duhet ta shijojmë”, tha ai, raporton tch.


Ai tha se Shqipëria “do t’i bëjë detyrat e shtëpisë që të përgatisin një strategji sa më të mirë për një kundërshtar si Anglia dhe se gjithçka mbetet të shikohet në fushën e blertë,” transmeton KosovaPress.

Ndërsa, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel tha gjatë ditës se dëshiron që skuadra e tij të luajë me “uri për të fituar” dhe jo “frikë për të humbur”, ndërsa përgatitet për ndeshjen e tij të parë në krye të Tre Luanëve.

Nën ish-trajnerin Gareth Southgate, Anglia arriti në finale të Kampionatit Evropian, por Tuchel ishte kritik për stilin e tyre të lojës në Euro 2024.

“Kam dëgjuar shumë se është një fanellë e rëndë. Në fakt nuk është. Por e di se çfarë thonë lojtarët. Duke parë Euro, ndjeva tension dhe presion mbi supet e lojtarëve dhe ata po luanin për të mos humbur. Dua që ne të luajmë me eksitim, uri dhe dëshirë për të fituar…dhe pranimi i dështimit është pjesë e tij, veçanërisht në futboll”, tha ai në një konferencë për shtyp të enjten.

Lexo edhe

Video