Ylli i Hollywood-it, Sylvester Stallone tregon historinë e tij pa doreza në librin e shumëpritur të kujtimeve “The Steps” (”Hapat), që do të publikohet njëkohësisht në mbarë botën në tetor.
Jeta aventureske e Sylvester “Sly” Stallone është e kombinuar me mesazhe shprese, pozitiviteti dhe elasticiteti.
Për herë të parë, krijuesi dhe ylli i serialeve Rocky dhe Rambo, një nga aktorët, shkrimtarët dhe regjisorët më të nderuar të të gjitha kohërave, u ofron lexuesve një vështrim intim dhe zbulues të rrugëtimit të tij personal.
Në “The Steps” ai ndan histori të një fëmijërie të vështirë, të bullizimit dhe keqtrajtimit, dhe të luftës së tij për të gjetur veten dhe potencialin e tij, duke përballuar dhe kapërcyer sfidat e jetës, hap pas hapi, raporton ANSA.
Titulli “Hapat”, i referohet 72 hapave që Rocky bën në Muzeun e Artit të Filadelfias në filmin e parë të serisë, dhe ato ofrojnë kornizën narrative në të cilën Stallone tregon historinë e tij për të frymëzuar lexuesit.
“Unë e kam vendosur veten si aktor, shkrimtar, regjisor. Por, ky libër është testamenti im. Është një shprehje e asaj që dua të jetë trashëgimia ime. Do të heq pluhurin nga shamia e vjetër blu dhe kapelja prej kartoni dhe do të hedh gjithçka që di për jetën në faqe libri, tani që jam shumë më i moshuar”, thotë Stallone.
“Çfarë kam mësuar për jetën? Për luftën? Për “shkallët”? E thjeshtë. Eksitimi i të gjithave, të ngjitjes, të të qenit ende në këmbë kur bie zilja. Kjo është arsyeja pse po shkruaj këtë libër. Unë dua t’i marr të gjitha këto dhe të vrapoj dhe t’i ngjit përsëri ato shkallë, t’i gjej ato momente dhe të ngrihem”, thotë ai, transmeton KosovaPress.
I lindur në vitin 1946 në qytetin e Nju Jorkut, Stallone ka kapërcyer sfidat e hershme për të ndërtuar një karrierë legjendare që përfshin dekada, duke ndërthurur aksionin, dramën dhe rrëfimin personal.