Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, është ndaluar për 48 orë pas një veprimi që ai e quan simbolik teksa shkuli pajisjet – mikrofonat e Kuvendit Komunal të Kryeqytetit.
Sveçla ka shkruar se “Veprimi im ishte për të shpërfaqur një pazar të madh në Prishtinë”.
“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’, dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48h. Por, kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të jemi të gjithë të barabartë. A jemi nuk e di? Veprimi im ishte për të shpërfaqur një pazar të madh në Prishtinë. Asgjë më shumë. Por, imagjinoni përpara me mbiemra pushtetarësh çka ndodhte. As me thirrë nuk kanë guxu, se lëre më shumë! Shihemi”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla në një koneferncë për media gjatë ditës ka arsyetuar këtë veprim, i cili ka thënë se rasti që ka ndodhur nuk ka të bëjë fare me miratim të buxhetit, por siç tha ai është munduar të ndalë mikrofonin në mënyrë që të ndërpritet seanca në të cilën do të merreshin disa vendime e që janë shumë të dëmshme për qytetin.