Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se në një operacion policor që u zhvilluar në një fshat në Leposoviq, janë konfiskuar municion dhe uniforma ushtarake.
“Janë zbuluar uniforma të ndryshme, armë dhe municion të ndryshëm por edhe dokumentacione të cilat dëshmojnë se strukturat paralele të mbrojtjes civile vazhdon të jetë aktive në territorin e Kosovës. Ky zbulim ka ndodhur disa kilometra brenda kufirit Kosovë-Serbi, në fshatin Rodel. Në vazhdimësi po zhvillojmë aksione”, tha ai.
Sipas tij, duke qenë se për çdo ditë po zbulojnë armë, tregon se ende ka pjesëtarë të dy organizatave terroriste në territorin e Kosovës, raporton KosovaPress.
“Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radojiçiq i cili është kupolla… ne ju bëjmë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre grupeve terroriste të dorëzohen, të dorëzojnë armët dhe që të bëhen pjesë integrale e shoqërisë”, shtoi ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha bëri të ditur se operacioni është akoma duke vazhduar.
“Operacioni është akoma duke vazhduar, një person është duke u intervistuar”, tha ai.
Në konferencë për media, ai theksoi se një nga uniformat është e Mbrojtjes Civile, organizatë terroriste e shpallur nga Qeveria e Kosovës.
“Në mesin e uniformave të konfiskuara, një prej uniformave është e mbrojtjes civile, e shpallur terroriste nga qeveria e Kosovës. Ekziston mundësia që edhe dy armë janë diku”, tha ai.