Një gjykatë amerikane ka shpallur Hadi Matar, njeriun që goditi me thikë shkrimtarin Salman Rushdie në vitin 2022, fajtor për tentativë vrasje pas një gjykimi tetë-ditor.
Gjatë procesit gjyqësor Rushdie dëshmoi se fillimisht mendoi se po e godiste me grusht sulmuesin, por shpejt e kuptoi se kishte gjakderdhje të madhe, raporton NBC News.
“Pashë një sasi të madhe gjaku që derdhej mbi rrobat e mia”, citohet të ketë thënë Rushdie. “Ai (sulmuesi) më godiste vazhdimisht. Goditje dhe prerje.”
Prokurorët argumentuan se sulmi ishte i qëllimshëm, duke paraqitur pamjet video me lëvizje të ngadalta për të theksuar natyrën e tij të synuar. Avokati i Matar pretendoi se nuk kishte asnjë provë të qartë të qëllimit për të vrarë Rushdie.
Matar, me shtetësi amerikane dhe libaneze, nuk pranoi të dëshmonte në mbrojtje të tij dhe është mbajtur pa kusht që nga sulmi. Ai tani përballet me 25 vjet burg, me dënim të caktuar për datën 23 prill.
27-vjeçari nxitoi në skenën e Institucionit Chautauqua në perëndim të Nju Jorkut në vitin 2022, duke sulmuar me thikë Rushdie (77), duke i shkaktuar lëndime të shumta, përfshirë qafën, stomakun, gjoksin, dorën dhe syrin e djathtë.
Autori i njohur britanik-amerikan me origjinë nga India, është përballur me kërcënime me vdekje që kur romani i tij “Vargjet e djallit” (1988) u shpall blasfemi nga lideri tashmë i ndjerë iranian Ayatollah Khomeini. Blasfemi i referohet një fyerjeje që tregon përbuzje, mungesë respekti ose nderimi për diçka që konsiderohet e shenjtë ose e paprekshme.