Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës mund të ndikojë që vendi të shihet si i pasigurt për investime, thonë njohës të ekonomisë.
Sipas tyre, sulmet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës si dhe mungesa e stabilitetit politik mund të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e investimeve të huaja, por edhe vendore.
Kanali i ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, u dëmtua mbrëmjen e 29 nëntorit pas një shpërthimi të madh. Bëhet fjalë për 15 kilogramë eksploziv.
Autoritetet e Kosovës thanë se sulmi në pjesën veriore të Kosovës është kriminal dhe vjen nga bandat e orkestruara prej Beogradit.
Sipas njohësve të ekonomisë, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime të koordinuara “për të ruajtur besimin e investitorëve dhe për të garantuar një të ardhme ekonomike më të sigurt”.
Adem Qorrolli, njohës i ekonomisë, thotë për KosovaPress, se problematike mbetet çështja se si të arrihet të mbahen investimet vendore në këtë periudhë të tensioneve në veri të vendit.
Njohësi tjetër i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë për KosovaPress, se mungesa e stabilitetit politik e ka goditur Kosovën në disa aspekte.
Sipas tij, rastet e fundit që kanë ndodhur në veri, dhe kërcënimet që vinë në mënyrë të vazhdueshme, ndikojnë në largimin e investitorëve potencialë por edhe “zbehjen e interesit të investitorëve për të ardhur në Kosovë”.
Ai shton se institucionet e Kosovës “duhet të kuptojnë sa i rëndësishëm është stabiliteti politik”.
Kryeministri Albin Kurti tha se sulmi i 29 nëntorit ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Korporata Energjetike e Kosovës.
Sulmin e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e QUINT-it.
Një tjetër sulm terrorist ndodhi shtatorin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Aty, nga terroristët serbë u sulmua Policia e Kosovës dhe mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.