Stuhia e shekullit rrafshoi me tokë ishullin Mayotte

Stuhia e shekullit rrafshoi me tokë ishullin Mayotte

Bilanci i viktimave si pasojë e ciklonit Chido në territorin francez Mayotte në Oqeanin e Indisë mund të arrijë në qindra. Erërat e ciklonit, me shpejtësi 225 kilometra në orë, rrafshuan plotësisht me tokë komunitete të tëra, shkruan BBC.

Numri zyrtar i të vdekurve është 11, por prefekti i ishullit François-Xavier Bieuville, tha për mediat lokale se “qindra njerëz do të kenë vdekur” dhe “është e mundur që ky numër të arrijë në disa mijëra”.

Ministria e Brendshme franceze tha se “do të jetë e vështirë të jepet një numër i saktë i viktimave”.

“Do të jetë e ndërlikuar sepse Mayotte është një vend mysliman ku të vdekurit varrosen brenda 24 orëve”, tha një zyrtar i kësaj ministrie.

Ishulli është shtëpia e 320 mijë banorëve, duke përfshirë mbi 100 mijë migrantë pa dokumente.

Mayotte është dukshëm më i varfër se pjesa tjetër e Francës dhe ka luftuar me dhunën e bandave dhe trazirat sociale për dekada. Rreth 77 për qind e njerëzve në Mayotte jetojnë nën kufirin e varfërisë franceze.


Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca ka dërguar 250 shpëtimtarë në ishull. Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau tha se “të gjitha shtëpitë e improvizuara u shkatërruan plotësisht” dhe shprehu frikën e “humbjeve të rënda”.

Mayotte, i cili shtrihet në veriperëndim të Madagaskarit, është një arkipelag i përbërë nga ishulli kryesor Grand-Terre dhe disa më të vegjël. Shumica e banorëve jetojnë në banesa të improvizuara dhe dhjetëra-mijëra kanë mbetur pa kulm mbi kokë, pa energji elektrike, ujë dhe lidhje interneti.

Qeveria në Paris dërgoi një aeroplan transporti ushtarak me furnizime dhe punonjës urgjence. Trafiku ajror fillimisht do të kryhet me avionë ushtarakë, ndërsa anijet janë në rrugë për të siguruar furnizimet.

Mayotte fillimisht u vendos në alarm vjollcë – niveli më i lartë – i cili përfshinte “një bllokim të rreptë”, përfshirë urgjencën. Ndërkohë, alarmi u ul në të kuqe për të lejuar shërbimet e urgjencës të largohen nga bazat e tyre.

Ministri Retailleau deklaroi se ishulli nuk kishte përjetuar një stuhi kaq të fortë që nga viti 1934.

Pasi goditi Mayotte, cikloni u intensifikua gjatë natës teksa kaloi kanalin e Mozambikut. Qyteti bregdetar Pemba në Mozambik u ekspozua ndaj shiut të dendur dhe erërave me shpejtësi 185 kilometra në orë. Videot në mediat sociale tregojnë pjesë të përmbytura të qytetit, pemë të shkulura dhe shtëpi të dëmtuara.

Cikloni tani po lëviz në brendësi të tokës, me shira të dendura në provincën fqinje Nampula. Erërat pritet të dobësohen, por do të ketë shira të dendura dhe përmbytje në jug të Malavit dhe më vonë në Zimbabve.

Lexo edhe

Video