Studenti i kriminalistikës dënohet me 39 vjet burg për vrasje

Studenti i kriminalistikës dënohet me 39 vjet burg për vrasje

Njëzetenjëvjeçari Nasen Saadi është dënuar me 39 vjet burg për vrasjen e trajneres së tij personale 34-vjeçare Amie Grey, të cilën e vrau derisa qëndronte ulur në plazhin Durley Chine në Dorset, në maj të vitit të kaluar, raporton Sky News.

Saadi nga Croydon goditi trajneren personale dhjetë herë me thikë në mbrëmjen e 24 majit. Shoqja e saj Leanne Miles, e cila ishte ulur pranë saj, pësoi 20 plagë me thikë, por i mbijetoi sulmit.

Saadi u shpall fajtor për vrasje dhe tentativë vrasjeje në Gjykatën Winchester Crown në dhjetor dhe sot u dënua me burg.

Ai mblodhi thika dhe hulumtoi vendet ku mund të kryente vrasje, duke i thënë policisë se ishte i interesuar për krime të vërteta, raste të pazgjidhura dhe filma horror.  Gjykatës iu tha se ai përdorte pseudonimin Ninja Killer në profilin e tij në Snapchat.

Prokuroria deklaroi gjithashtu se Nasen Saadi hulumtoi thikat që ai bleu më vonë në internet, si dhe vrasjen e Brianna Ghey, e cila ndodhi një vit më parë në Angli.


Ai kërkoi informacione të tilla si pse është më e vështirë të kapësh një vrasës nëse ai e kryen vrasjen në një qytet tjetër dhe krahasoi avantazhet e armëve të ndryshme, si shpata ose kamë, në krahasim me thikat.

Ai kishte hetuar më parë plazhin në Bournemouth ku u krye vrasja. Ai u interesua për numrin e vizitorëve, nëse ishte i hapur gjatë natës dhe cilat hotele në atë zonë pranonin para në dorë dhe nuk kishin kamera vëzhgimi.

Prokurori tha se Saadi ecte përgjatë shëtitores drejt plazhit Durley Chine çdo mbrëmje gjatë qëndrimit të tij në Bournemouth në atë që ajo e përshkroi si zbulim. Një kontroll i policisë në shtëpinë e Saadi zbuloi një numër thikash, si dhe doreza lateksi, një elektrik dore dhe një kapuç të zi.

“Unë nuk jam përgjegjës për këtë dhe nuk kam asnjë arsye të sulmoj dikë pa arsye”, tha Saadi gjatë marrjes në pyetje në polici.

Ai nuk ka shfaqur asnjë emocion edhe gjatë shpalljes së vendimit. Ai u deklarua fajtor vetëm se nuk donte t’i tregonte policisë fjalëkalimin e tij të telefonit mobil, transmeton KosovaPress.

Lexo edhe

Video