Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet për të bllokuar urat më 1 shkurt.

Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad.

Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.

Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.

Rënia e Qeverisë – disfatë për Vuçiqin apo blerje kohe

Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti, raporton Evropa e Lirë.


Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në stacionin e trenave të këtij qyteti.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se pjesëtarë të kësaj ministrie do të ofrojë siguri për marshin e studentëve, duke i përcjell edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.

Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë, duke nxjerr në rrugë dhjetëra mijëra njerëz.

Në dy muajt e fundit, protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.

Dora e gjakosur është bërë simbol i lëvizjes studentore serbe.

Qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre, duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat.

Lexo edhe

Video