Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci tha se kjo parti ka arritur rezultat të madh dhe se është “konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike”.
Në një konferencë për media, Stavileci tha se presin numërimin e votave dhe se ditëve në vijim kreu i kësaj partie dhe kandidati për kryeministër do të dalin me qëndrime.
“Sonte jemi në një situatë të pazakontë kur ne si parti politike duhet të ju tregojmë juve dhe qytetarëve për votën tonë dhe jo KQZ-ja siç do duhej të ishte. Megjithatë tash jemi para jush për të ndarë një mesazh të qartë dhe të plotë: PDK ka arritur një rezultat të madh. PDK është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend me mbi 200 mijë vota. Ky është rezultati më i mirë i PDK-së në shumë vite dhe një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën”, deklaroi Stavileci.
Ai deklaroi se qytetarët ia kanë kthyer shpinën qeverisë.
“Ky është një mesazh i pamohueshëm për ne dhe një mesazh i fortë për të ardhmen e vendit tonë. Ajo që kemi parë në këtë proces është e qartë, shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie. Rezultati tregon se ata kërkojnë një qeveri të re, një qeveri tjetër. Qytetarët tanë me votën e tyre treguan se besojnë që Kosova mundet më mirë”, shtoi ai./KosovaPress