Zbatimi i standardeve evropiane ESG (mjedisi, çështjet sociale dhe qeverisja korporative) janë një domosdoshmëri për bizneset vendore në mënyrë që të jenë konkurrues dhe prezent në tregun evropian, por jo vetëm. Kështu theksoi drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti, për emisionin Ekonomiks në RTK.
Ai theksoi se në konferencën rajonale të ESG, e organizuar nga Dhoma e Tregtisë, me mbështetje të Komisionit Evropian përmes Fondit të Ballkanit Perëndimor, ishin mbi 100 pjesëmarrës nga vendet e rajonit dhe më gjerë, ku u diskutua rëndësia e zbatimit të këtyre standardeve evropiane, transmeton KosovaPress.
“Ndonëse në Kosovë, zbatimi i këtyre standardeve nuk është obligative me ligj, bizneset janë të detyruara që të fillojnë zbatimin e tyre nëse duan që të jenë prezent në tregun evropian. Kjo pasi, bizneset evropiane nuk do të bashkëpunojnë me ato biznese të cilat nuk i respektojnë ato. Synimi jonë çdo herë mbetet rritja e eksportit dhe kjo konferencë vuri në pah nevojën që të ketë sa më shumë informata për bizneset dhe të fillojnë t’i zbatojnë ato, pasi në të kundërtën, do të mbeten të izoluara vetëm në tregun vendor”, theksoi Ahmeti.
Ndërsa, kryetari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi, theksoi se konferenca për standardet ESG, është një moment reflektimi për kompanitë vendore por jo vetëm.

“Konferenca rajonale për standardet ESG që po mbahet sot në Prishtinë shënon një moment kyç për zhvillimin e mundësive të reja për kompanitë tona në përgjithësi. Në një botë ku sfidat globale si ndryshimet klimatike, pabarazia sociale dhe transparenca e qeverisjes, janë më të rëndësishme se kurrë, standardet ESG nuk janë më një zgjidhje. Ato janë një domosdoshmëri për të ecur përpara dhe për të qëndruar konkurrues në tregun global”, ka thënë Krasniqi në emisionin Ekonomiks në RTK i cili u transmetua mbrëmë.
Ndërsa panelistët dhe afaristët e intervistuar vlerësuan se bizneset në masë të madhe janë vonë në zbatimin e standardeve ESG.
/KosovaPress/