Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është shënuar për herë të parë më 21 mars 2013 me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton KosovaPress.
Kjo ditë synon rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve, dhe pemëve jashtë pyjeve, për të mirën e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
Vendet inkurajohen të ndërmarrin përpjekje për të organizuar aktivitete lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare që përfshijnë pyje dhe pemë, të tilla si fushatat e mbjelljes së pemëve.
Dita Ndërkombëtare e Pyjeve shënohet duke theksuar rëndësinë e këtyre ekosistemeve shkatërrimi i të cilave rrezikon shëndetin e njeriut dhe shëndetin e planetit tonë.
Ndikimet e faktorit njeri kanë shkaktuar tashmë humbjen e rreth 40% të pyjeve në botë dhe kërkesa globale për produkte nga druri pritet të trefishohet gjatë tre dekadave të ardhshme.
Sipërfaqja pyjore në Kosovë është rreth 481 000 ha ose 44.7% e sipërfaqes totale. Sipas ligjit për pyjet, pyjet e Kosovës janë resurse kombëtare, do të udhëhiqen në atë mënyrë që të ofrojnë rendimente me vlerë dhe në të njëjtën kohë të ruhet biodiversiteti për të mirën e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Mbrojtja e pyjeve të Kosovës, ende mbetet në nivel jo të duhur përcjell KosovaPress.
Sipas disa hulumtimeve, niveli i shfrytëzimit të pyjeve dhe nevojave për dru zjarri është më e lartë se sa rritja vjetore e tyre. Në bazë të Inventarizimit të Pyjeve të Kosovës, rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.5 milion metër kub, kurse prerja e lejuar është rreth 1.4 milion metër kub, ndërsa sipas disa hulumtimeve, shfrytëzimi i drurit për ngrohje arrin në rreth 2 milion metër kub.
Kjo na paraqet një tej-shfrytëzim të pyjeve nga mundësia e rritjes vjetore. Prerjet e kontrolluara dhe planifikuara nga institucionet përgjegjëse janë në nivel shumë të ulët krahasuar me kërkesat vjetore të popullatës. Mbi 80% e masës drusore konsiderohet se prehet në mënyrë jo të rregullt.
Zjarret pyjore, për momentin, janë shkatërruesit kryesorë të pyjeve ku brenda vitit digjen me qindra apo mijëra hektarë. Për shkak të të gjitha këtyre degradimeve, pyjet po e humbin rolin e tyre shumë funksional duke siguruar ushqim, ujë të pastër dhe ajër të pastër, rekreacion, materiale ndërtimi – me një fjalë, ekzistencë. /KosovaPress
/KosovaPress/