Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, raporton KosovaPress.
Mediat u lejuan të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.
Kjo është vizita e parë e Sorensenit në Kosovë. Ai do të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe kryenegociatorin kosovar për dialog, Besnik Bislimi, shkruan KosovaPress.
Emisari i BE-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 19 mars.
Vizita e parë në Kosovë e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po shihet më shumë informuese dhe që s’mund të prodhojë diçka në dialog.
Sipas njohësve të këtij procesi, është vështirë të bëhet ndonjë hap konkret në dialog pa formimin e qeverisë së re në Kosovë, si dhe zgjidhjen e krizës politike në Serbi.
Megjithatë, konsiderohet se Sorensen gjatë vizitës së tij tre ditore në Kosovë, mund të diskutojë me përfaqësuesit institucionalë dhe politikë për hapat përpara që do të ndiqen në këtë proces, zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.