Kushdo që dëshiron të formojë qeverinë duhet të ndryshojë fjalët që ka pasur gjatë fushatës zgjedhore, thonë analistët politikë. Sipas tyre, pas qartësimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit është e detyrueshme arritja e një koalicioni për formimin e qeverisë. Të njëjtit theksojnë se pavarësisht deklarimeve politike, s’ka më vija të kuqe si brenda faktorit shqiptarë por edhe në bashkëpunim me pakicat, përfshirë Listën Serbe. Skenari më real konsiderohet që Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve, në koalicion me Nisma-Socialdemokrate që ka fituar tre deputetë dhe së bashku edhe me komunitetet jo serbe të formojnë qeverinë e pakicës. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia edhe një koalicioni më të gjerë mes LVV-së dhe LDK-së. Në anën tjetër, formimi i qeverisë nga partitë opozitare shihet më i vështirë, siç thonë mungesës së gatishmërisë për kompromise dhe maksimalizimit të kërkesave të liderëve politikë.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pastaj Lidhja Demokratike të Kosovës dhe e katërta, sipas votave, është radhitur koalicioni AAK-Nisma. Në bazë kësaj, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 48 deputetë në Kuvend, PDK-ja 24 deputetë, LDK-ja 20 deputetë, AAK-NISMA 8 deputetë si dhe komunitet pakicë 20 vendet e rezervuara.
Politologu, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, vendin e pret një periudhë më e vështirë në konstituimin e Kuvendit si dhe formimin e qeverisë. Ai pret diskutime të shumta mes partive politike, megjithatë nuk e përjashton mundësinë edhe të shkuarjes në zgjedhje të reja si pasojë e ngërçit që mund të krijohet.
Edhe sipas analistit politik, Arbnor Sadiku, opsioni më real për formimin e qeverisë është ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, tre deputetëve të Nisma-s, siç deklaron “peshkimi” i ndonjë deputetëve nga partitë të tjera si dhe komunitetet jo serbe.
Megjithatë, ai thekson se do të varet nga lideri i LVV-së, kryeministri aktual, Albin Kurti se a dëshiron qeveri të pakicës deri në zgjedhje lokale dhe më pastaj edhe atëherë të organizohen zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas tij, ekziston mundësia që LVV-ja të bëjë koalicion edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa e sheh si vështirë të mundshme koalicionin LVV-PDK.
Në anën tjetër, politologu, Muhaxhiri thotë për KosovaPress se aktualisht s’ka asnjë indikacion për formimin e qeverisë nga ana e partive opozitare.
Ai e sheh të vështirë një gjë të tillë, siç thotë për shkak të qasjes kokëfortë të liderëve politik, ku maksimalizohen kërkesat dhe s’arrihet kompromisi për pozitën e kryeministrit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë të premten se po presin certifikimin e rezultateve, e më pastaj të nisin diskutimet për formimin e qeverisë së re.