Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur sot shqetësimin e saj lidhur me vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë dhe njëherësh kërkon nga Ministria e Financave ekzekutimin e tyre urgjent, duke siguruar kompensimin e plotë.
Në një komunikatë për media, sindikata përkujton se në prag të festës së Fitër-Bajramit, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar dhe kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre duke krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme, raporton KosovaPress.
“Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje, e cila është e nevojshme për të ruajtur motivimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike”, përkujton sindikata.
Sindikata e Policisë e Kosovës paralajmëron se do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të heshtë derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara, duke vazhduar të mbrojë të drejtat e zyrtarëve policorë dhe të kërkojë zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme.