Sillen në KQZ 1.640 pako me fletëvotime nga Austria

Sillen në KQZ 1.640 pako me fletëvotime nga Austria

Sot pasdite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellë 1.640 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Austria, ka bërë të ditur për KosovaPress  zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Ai ka thënë se sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.


“Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, ka thënë Elezi.

Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo  duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025.

Lexo edhe

Video