Presidenti i Francës Emmanuel Macron do të mbledhë nesër përfaqësues të vendeve të mëdha evropiane në Paris për të diskutuar sigurinë evropiane, konfirmoi sot ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot.
“Presidenti i Republikës do të mbledhë nesër vendet kryesore evropiane për bisedime mbi sigurinë evropiane”, tha Barrot për radion France Inter.
Ai nuk ka specifikuar se kush do të merr pjesë në takimin e punës, por sipas një burimi diplomatik evropian, të pranishëm duhet të jenë Gjermania, Polonia, Italia, Danimarka, si dhe Britania e Madhe.
Udhëheqësit evropianë Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, si dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, do të jenë gjithashtu të pranishëm, tha burimi.
Takimi do të zhvillohet një ditë pas Konferencës së Sigurisë së Munihut, e cila u shënua nga një fjalim armiqësor i zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, drejtuar kundër Bashkimit Evropian, të cilin ai e akuzoi se nuk respekton lirinë e shprehjes.
Ai gjithashtu konfirmoi se amerikanët po shqyrtojnë negociatat për një zgjidhje të çështjes së Ukrainës pa evropianët.
“Kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes, ne nuk kemi nevojë për udhëzime”, tha Barrot për France Inter. “Duhet të heqim qafe kompleksin e inferioritetit dhe të mos frikësohemi, ndaj nuk do të pranojmë asnjë ndërhyrje”, theksoi ai.
Ai i cilësoi të papranueshme deklaratat e Vance të bëra një javë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.
“Ne do të mbrojmë demokracinë tonë dhe debatet tona publike, sepse ato janë pasuritë tona më të çmuara, edhe nëse janë të brishta,” tha Barrot.
Kur është fjala për çështjen e Ukrainës, ai përsëriti se vetëm ukrainasit mund të marrin vendimin për t’i dhënë fund luftës dhe theksoi se Evropa do t’i mbështesë ata derisa ata të marrin vendimin e tyre.
Ai shtoi se ukrainasit nuk do të ndalen derisa të sigurohen se paqja që u ofrohet do të jetë e qëndrueshme dhe derisa të kenë garanci sigurie.
“Dhe kush do t’u japë atyre garanci? Evropianët,” përsëriti Barrot, duke vënë në dukje se evropianët do të përfshihen në një mënyrë ose në një tjetër në diskutimet për përfundimin e luftës në Ukrainë.