Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, në rrjete sociale po qarkullojnë disa video qesharake, me muzikë reperësh, mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-kreut të PD-së e drejtuesit të partisë “Koalicioni Euroatlantik”, Lulzim Bashës. Në këtë mënyrë, të dy palët po tërheqin vëmendjen e publikut duke i drejtuar disa pyetje njëri tjetrit, raporton KosovaPress.
Por si filloi kjo “dramë” mes Ramës dhe Bashës?
Gjithçka nisi me një deklaratë të Bashës, i cili iu përgjigj një ironie të mëparshme të Ramës: “O Ramë kishte pyetur ku është Luli. Ja ku e ke Lulin, me demokratët euroatlantikë”, – tha Basha në një video nga takimet e tij me strukturat e partisë.
Replika e kryeministrit Rama ishte pas disa lajmeve të rreme se Basha kishte ndërruar jetë. “Po mer Lul, si mos pyesja për ty, na thave sytë mer zotni! Po si thanë? Vdiq Luli! Vetëm unë se besova, se e di qe je i pavdekshëm. Stres zero, gjumi top, 7×7 po 42, ku ka vdekje që të afrohet ty o Lul! Vetëm se kur dole the jam gjallë, aty thashë mos, po rren!”, tha Rama.
Videot qesharake, filluan pasi që ish kreu i PD-së, publikoi një video me një tekst kënge të një reperi shqiptarë, “Si thotë Unikatili Ramë? Ku i ke shokët? Hë me Ramë? Më kishe kërkuar…”, thotë në një nga videot e tij Basha.
Rama, pastaj citoi vargjet e të njëjtit reper: “Pse nuk e kupton që ti s’mun m’u shty me mu? Ti ndaç mohoje dost, sa herë ke provu me mu, ke dështu”, duke ironizuar liderin e opozitës.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj 2025.