Shteti më i lumtur në botë, ambasadori i Finlandës tregon ‘sekretet’

Ambasadori i Finlandës në Kosovë Matti Nissinen beson që duke investuar në arsim, shëndetësi,  siguri si dhe ndjesinë se qytetarët nuk janë vetëm Kosova mund t’u ofrojë lumturi popullit të saj.

Nissinen për KosovaPress thotë se sekreti i shtetit finlandez i cili po konsiderohet si populli më i lumtur në botë ka të bëjë me stabilitet, barazi dhe besim.

Për herë të tetë me radhë në Ditën e Lumturisë, Rrjeti i Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm i OKB-së e ka renditur Finlandës shtetin më të lumtur në botë.

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen është shprehur i lumtur që populli i Kosovës ka dalë në vendin e parë në rajon. Por, Nissinen tregon rrugën që duhet të ndjekë Kosova për një jetë më të mirë për popullin e saj.

“Ishte shumë kënaqësi të vërej se Kosova ka bërë shumë mirë edhe këtë vit, prandaj përgëzime për këtë. Është një arritje e shkëlqyer, e shkëlqyer. Mendoj se duhet të investohet te njerëzit, të investohet në arsim, në shëndetësi, në sigurime shoqërore dhe të gjitha ato elemente që krijojnë siguri, ndjesi sigurie për njerëzit, që ata të dinë se nuk janë vetëm, por shoqëria do të jetë aty për ta. Dhe mendoj se në këtë moment të turbullt të botës gjeopolitike dhe ekonomike që po jetojmë, ky stabilitet sjell gjithashtu qëndrueshmëri shoqërore, e cila është shumë e rëndësishme,” tha ai.

Nissinen shprehet i kënaqur që populli i shtetit të tij vazhdojnë të prijnë në botë si populli më i lumtur. Ai thotë se stabiliteti, barazia dhe besimi janë çelësi i këtij suksesi.


“Është një arritje me të cilën jemi shumë të kënaqur. Është gjithashtu një rikujtim, nga perspektiva jonë, për t’u fokusuar në gjërat që ne i theksojmë në sistemin finlandez, dhe ato janë stabiliteti, barazia dhe besimi. Mendoj se këto janë sekretet e suksesit finlandez. Ne kemi krijuar këtë infrastrukturë të lumturisë, që do të thotë se ne ofrojmë për njerëzit një lloj rrjeti në jetë. Të gjithë kemi vështirësi në një moment të jetës sonë, por në Finlandë, njerëzit mund të ndjehen me besim se nuk janë lënë vetëm, por po kujdesen për ta në një farë mënyre”, u shpreh ai.

Kosova vendi më i lumtur në rajon – flasin qytetarët • KosovaPress

Në edicionin e vitit 2025, Finlanda edhe një herë kryeson listën e vendeve më të lumtura në botë – për të tetin vit radhazi. Vendet e tjera nordike gjithashtu ruajtën pozicionet e tyre nga viti i kaluar – Danimarka në vendin e dytë, Islanda e treta, Suedia e katërta dhe Norvegjia në vendin e shtatë.

Raporti Botëror i Lumturisë 2025 e cilëson Kosovën si vendin e 29-të më të lumtur në tërë globin në vitin 2024, duke e bërë atë vendin e parë më të lumtur në rajon.

Jeta në Kosovë vlerësohet afro 7 pikë (6.659) nga 10 në tërësi, tregon raporti, i cili u publikua nga një partneritet mes Gallup, Qendrës për Hulumtimin e Mirëqenies në Oksford, Rrjetit të Zgjidhjeve për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara dhe një bordi editorial.

Lexo edhe

Video