Gara për Eurovision 2025 është në kulmin e saj, me disa vende që tashmë kanë përzgjedhur përfaqësuesit e tyre, ndërsa të tjera janë ende në fazën e përzgjedhjes.
Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila triumfoi në Festivalin e Këngës në RTSH. Edhe Çekia, Qiproja, Mali i Zi dhe Holanda kanë zgjedhur artistët që do të ngjiten në skenën e Eurovisionit.
Në anën tjetër, Suedia vazhdon garën përmes festivalit të saj tradicional Melodifestivalen, i cili është ende në zhvillim. Finalja e këtij kompeticioni do të mbahet më 8 mars, ku do të shpallet fituesi që do ta përfaqësojë vendin në Eurovision.
Ndërkohë, në Spanjë, përfaqësuesja Melody me këngën “Esa Diva” ka pësuar një rënie të madhe në renditjet e basteve, duke ngritur dyshime mbi suksesin e saj. Po ashtu, pas shumë diskutimeve dhe thirrjeve për bojkot, Izraeli ka marrë konfirmimin për pjesëmarrje në Eurovision 2025.
Me disa muaj deri në finalen e madhe në Bazel të Zvicër, entuziazmi për Eurovisionin po rritet, ndërsa fansat presin të zbulojnë të gjithë këngët që do të konkurrojnë për çmimin e madh.