Shqiptarët e Luginës me sfida të shumta, mungesa e raportimit të drejtë krijon tensione ndëretnike

Mungesa e një raportimi të drejtë dhe të mirë krijon tensione ndëretnike dhe mosbesim në mes të komuniteteve në Kosovë e Serbi. Për shqiptarët në Preshevë problemet kryesore janë Qeveria e Serbisë, Rusia dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në parlament të Kosovës, ndërsa për serbët në veri të Kosovës problem mbetet “Qeveria e Kosovës dhe marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara”. Kështu u tha në një konferencë për media të titulluar “Serb/Alb Media Mirror”, me rastin e publikimit të analizës së Organizatës joqeveritare “ACDC” dhe organizatës për Hulumtime Sociale “BIRDOI” me temën “Imazhet në kokat dhe zemrat tona: Shqiptarët dhe serbët-njëri për tjetrin”.

Me këtë rast u tha se qëllimi i projektit ka qenë kuptimi i raporteve në mes shqiptarëve dhe serbëve në Serbinë jugore dhe serbët në veri të Kosovës.

Agon Islami nga Shoqata Qytetare “Qendra për Demokraci dhe Arsim-Lugina” nga Bujanoci potencoi se qytetarët shqiptarë në Luginë ballafaqohen me pasivizimin e adresave, mospranimin e diplomave të Kosovës dhe mosintegrimin e shqiptarëve nëpër institucione serbe.

“Përderisa për qytetarët serb në veri të Kosovës problemi më i madh që gjeneron është Qeveria e Kosovës. Të kundërtën e thonë qytetarët shqiptarë. Kemi diku afër 50 për qind që qytetarët shqiptarë në Preshevë, Bujanoc mendojnë që burim i urrejtjes, i konflikteve është Qeveria e Serbisë dhe Rusia. Të kundërtën e thonë qytetarët serb për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Ka shumë ndasi që i ndajnë dy popujt në mes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të veriut të Kosovës…Ne ballafaqohemi me pasivizimin e adresave, që është një problem jetik për neve e që askush nuk  merret me të… 17 gjeneratave nuk iu pranohen diplomat e Kosovës… 17 gjenerata nuk mund të punësohen nëpër institucionet e ndryshme në Serbi vetëm se kanë diploma të cilat iu shkruan Republika e Kosovës… Mos integrimi i shqiptarëve nëpër institucione (në Serbi) është gjithashtu një problem tejet i madh”, theksoi Islami.

Drejtori i ACDC-së, Dushan Radakoviq tha se rol të madh kanë edhe mediat në mënyrë se si ato raportojnë për çështje dhe temat e ndryshme, duke bërë një polarizim të madh tek publiku sipas tij.

Derisa iu referohet hulumtimit shprehet se në veri të Kosovës edhe në Luginën e Preshevës ka etnonacionalizëm.


Përveç kësaj, Radokoviq tha se mungesa e një raportimi të drejtë dhe të mirë krijon tensione ndëretnike dhe mosbesim në mes të komuniteteve.

Ndërkaq, drejtori i BIRODI-t, Zoran Gavriloviq, ndau një detaj interesant sipas tij të hulumtimit, duke treguar se “të anketuarit të cilët jetojnë në hapësirat e Luginës së Preshevës nuk janë mjaft të informuar për atë se çka ndodhë në Serbi e që është edhe përgjegjësi e shtetit të Serbisë”.

Gavriloviq tha se mbi 50 për qind të të anketuarve mendojnë se Qeveria e Kosovës dhe ministritë që merren me të drejtat e komuniteteve nuk e bëjnë punën e vet siç duhet.

Ndër të tjera, Gavriloviq potencon se për qytetarët shqiptarë në Preshevë problemet kryesore janë Qeveria e Serbisë, Rusia dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në parlament të Kosovës.

Në anën tjetër, ai thotë se në bazë të hulumtimet del se për qytetarët serbë në veri të Kosovës mbetet Qeveria e Kosovës dhe marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara.

Në konferencë u tha se pjesë  këtij anketimi ishin 250 qytetarë.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video