Shqipëria pa Tik-Tok

Shqipëria pa Tik-Tok

Shqipëria ka vendosur të mbyllë për një vit platformën Tik Tok, si pjesë e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla.

Vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pasi një nxënës i shkollës “Fan Noli” humbi jetën nga goditjet me armë të ftohta gjatë një konflikti me moshatarë të tij.  Ngjarja solli protesta të prindërve dhe mbi 1.300 konsultime me dhjetëra-mijëra familjarë të nxënësve në të gjithë vendin.

Mbyllja e Tik Tok-ut pritet të shoqërohet nga vendosja e kamerave brenda dhe përreth shkollave, rregulla të reja mbi telefonat mobilë gjatë orëve mësimore, me dyfishimin e oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, si dhe me koordinim më të fortë mes tyre dhe policisë së shtetit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në takimin përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësues e prindër, ku u paraqit një plan i ri veprimi për fuqizimin e sigurisë në shkolla, se Tik-Tok do të mbyllet për një vit.


“Kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, dhe për një vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tik-Tok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë! Pastaj, gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për kufizime, për filtra, si do të reagojë vetë TikTok”, tha  Rama.

Nisma e qeverisë u nxit nga ngjarja e 18 nëntorit, kur pas një konflikti mes disa të miturve, mbeti i vrarë me thikë 14-vjeçari Martin Cani.

Konflikti mes të miturve dyshohet të ketë nisur fillimisht, në rrjetet sociale, ku dhe pas ngjarjes, autori i dyshuar goditjes me thikë të bashkëmoshatarit Cani, nxënësit të shkollës Fan Noli, postoi foto me grushtin lart dhe një tjetër ku tregonte thikën.

Ngjarja tronditi opinionin publik me një mori reagimesh e protestash si dhe me një seri masash e konsultimesh midis prindërve, mësuesve dhe forcave të rendit publik për të rritur sigurinë në sistemin arsimor. /VoA

Lexo edhe

Video