Shqipëri, borxhi publik zbret në 54 për qind të PBB-së

Shqipëri, borxhi publik zbret në 54 për qind të PBB-së

Borxhi publik nw Shqipëri, në fund të vitit 2024 zbriti në nivelin 54,73 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 55,8 pwr qind që ishte parashikimi.

Rënia e borxhit publik në nivelin 54,73% e PBB-së shënon edhe nivelin më të ulët që nga viti 2008, kur borxhi ishte 54,8% e PBB-së.

Të dhënat zyrtare nga buletini statistikor i Ministrisë së Financave, tregojnë një rënie me 17,94 pikë që nga 2015, kur borxhi publik arriti nivelin më të lartë, 72,67% e PBB-së, shkruan ATSh.

Shqipëria e ka pasur borxhin publik 72% edhe në vitin 1999, dy vjet pasi vendi përjetoi kolapsin financiar që shkaktuan skemat piramidale.

Që nga ajo kohë borxhi erdhi në rënie konstante nga viti në vit deri në vitin 2008, vit në të cilin borxhi u rrit për herë të parë pas dhjetë vitesh.


Në vitin 2015 shkoi në nivelin 72,67% të PBB-së, kur qeveria e re e drejtuar nga PS erdhi në pushtet dhe përfshiu në statistikat zyrtare borxhet e prapambetura për punë publike të kryera por të papaguara.

Pas këtij momenti, borxhi publik iu rikthye sërish trajektores rënëse.

Ministria e Financave thotë se progresi në reduktimin e nivelit të borxhit publik ka ardhur falë një menaxhimi të kujdesshëm fiskal.

Ky menaxhim i kujdesshëm fiskal, i kombinuar me stabilitetin makroekonomik dhe reformat strukturore, thotë Ministria e Financave, ka forcuar edhe besueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

Agjencitë prestigjioze të vlerësimit të kreditit, Standard & Poor’s dhe Moody’s, kanë përmirësuar vlerësimet e tyre për Shqipërinë, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e tregut shqiptar.

Në prill 2024, S&P e ngriti vlerësimin e Shqipërisë nga “B+” në “BB-” dhe së fundmi, në tetor 2024, gjithashtu Moody’s e ngriti vlerësimin nga “B1, pozitive” në “Ba3, e qëndrueshme”.

Lexo edhe

Video