Pa ushqim të mjaftueshëm e në mungesë të barnave, familja pesë anëtareshe në Prishtinë, tash e 25 vjet jetojnë në një shtëpi pa shtylla dhe mobile të marra nga bërllogu. Derisa vuajnë nga sëmundje të ndryshme, jeta e tyre po vështirësohet dita e ditës, pasi shtëpia e tyre është pothuajse e shkatërruar.
Kryefamiljari i rrahur nga forcat serbe që është i pa aftë për punë dhe bashkëshortja e tij, e cila vuan nga diabeti dhe sëmundja e zemrës, kanë një djalë simpatik. Aty jeton edhe nëna e kryefamiljarit, e cila është e palëvizur. Jeta për ata është e rëndë, pasi nuk blejnë barna për shkak se pensioni që marrin nuk i del as për gjërat elementare ushqimore, derisa e gjithë familja ndihet e rrezikuar nga shembja e shtëpisë së vjetër.
Zonja e shtëpisë rreth të pesëdhjetave, Talibe Bilalli kërkon ndihmë për të ndërtuar një jetë pak më të mirë për djalin e saj të vetëm nëntë vjeçar.
“Lakmon djali kur të sheh shtëpitë, ‘Oj nanë sa të mira, të tjerët po jetojnë mirë, unë nuk po kam, jam fukara’. Më vjen gjynah prej tij shumë”, thotë Bilalli derisa shikon me dhembshuri të voglin e saj që qëndron në cep të dhomës.
Bilalli tregon se shiu depërton brenda mureve të shtëpisë, sepse është e shkatërruar. Ajo thotë se janë të rrezikuar nga shembja e saj, derisa rrëfen për gjendje e saj të rënduar shëndetësore.
Bilalli thotë se ilaçet e saj kushtojnë shumë, për çka thekson se e kanë të pamundur t’i mbulojnë të gjitha gjërat elementare me një shumë prej rreth 110 euro, pa kërkuar ndihmë nga të tjerët.

“Vështirë shumë, të holla nuk po kemi. Kjo shtëpi si të bie shi shumë apo fryen, e lëshon pika, dridhet shtëpia. As nuk ka shtylla asgjë. Jashtë është krejt e shkatërruar, edhe tavani. Të holla nuk kemi, ilaçe na duhen. Ilaçet e mija kushtojnë deri në 150 euro. Plaka është e sëmurë, e paralizuar, kush të kujdeset për të. Unë pa përcjellës nuk mund të dal, jam me diabet dhe sëmundje të zemrës, me pompë për frymëmarrje. 120 euro nuk i dalin vetëm djalit për lapsa, libra…Dollapi ka rënë si ka qenë si më mirë. Shporetin dhe frigoriferin në bërllog i kanë gjetur, i kanë ngrehur zhag, një kojshi mjeshtër i ka rregulluar. Të gjitha këto që po i shihni i kemi marrë prej bërllogut. Na kanë ndihmuar dikush me vitra, i kemi blerë këta kreveta. Ngrehë lagështi. Hyni uji në të gjitha anët në muri, pak si të bie shi pikë”, thotë Bilalli.
Kjo nënë shpreh nevojën për ndërtimin e një shtëpie, si thotë ajo për djalin e saj të vogël.
Ajo rrëfen se për të blerë ilaçet, mbesin pa ngrënë, sepse nuk po iu mjaftojnë të hollat që marrin.
“Djalit të mund t’ia bëjmë pak kushte se për vete s’kemi çfarë më. Ky i vogël…Po duhet t’i ndajmë prej socialit të blejmë ilaçe. Po mbesim pa ngrënë dhe pa pi. Veç në ramazan çka na ndihmojnë me vitra dhe harxh…Çdo muaj ne kemi nevojë për harxh. 12:15 Lakmon djali kur të sheh shtëpitë, ‘oj nënë sa të mira, të tjerët po jetojnë mirë, unë nuk po kam, jam fukara’. Më vjen gjynah prej tij shumë. Po i them do të bëhet mirë”, shprehet Bilalli.
Dertin për ndërtimin e shpreh edhe kryefamiljari i shtëpisë, Azem Bilalli, derisa tregon se për shkak të rrahjes nga forcat serbe, nuk është më i aftë të bëjë punë fizike.
Ai tregon se nëna e tij është rreth 90 vjeçare dhe është e palëvizshme.
“Jemi në dert për shtëpi. Kjo nuk ka shtylla hiç. Është e ndërtuar sa me fut kokën nën mbuloja. Një lëkundje e tokës apo diçka kjo është gati të rrënohet. Nënën e kam të palëvizshme, gruan e kam të sëmurë…Kushtet po i shihni vetë, mirë që më kanë shpëtuar mendtë, shumë jam durimtar…Të ardhurat çka i kam 110 euro social. Gruaja është me ilaçe, vetë jam me ilaçe. Gjatë luftës më ka marrë policia serbe më kanë rrahur, më kanë sjellur në këtë gjendje. Unazat m’i kanë luajtur nga vendi…Pesë anëtarë të familjes jemi, i marrim 110 euro. Për harxh kemi nevojë, si jo…Djalin e kam në shkollë, po duhet t’ia paguaj kombin për çdo muaj, e po duhet të kujdesemi për të për veshje e mbathje. I ka nëntë vjet, në klasë të katërt…Qe sa vjet jeni në këtë shtëpi. Jemi që 25 vite”, thotë Bilalli.
Familja Bilalli jeton në Vranjevc të Prishtinës në rrugën “Nexhmi Llumnica”. Ata që kanë mundësi ta ndihmojnë për gjëra ushqimore, barna apo edhe zgjedhjen e banimit të sigurtë, mund të thërrasin në numrin kontaktues të kryefamiljarit 044 799 116.
/KosovaPress/